1. /
  2. Rrugët e Staneve Istog

Rrugët e Staneve Istog

Në hyrje të qytetit përshendetemi me një tabelë e cila na uron mirëseardhjen “Mirë se erdhët në Istog”. Istogu është një ndër komunat përbërëse të Kosovës e cila gjendet afër qytetit të Pejës në pjesën perendimore të Kosovës.

Pasi të kalojmë pjesën urbane të qytetit, e cila nuk është në interesin tonë në këtë broshurë, vetëm pak kilometra larg na shfaqen përpara kodrat plotë gjelbrim, fshatrat e rrugët të cilat të shpiejnë drejtë magjisë së bjeshkëve të Istogut.

Pak nga ne e dimë që ky territor i përbërë nga një sipërfaqe prej 453.84 km2, në aspektin gjeografik dhe etno-kulturor, njihet edhe si Podgur i cili është një nën-krahinë etnografike që zë pozitën veriore të Rrafshit të Dukagjinit. Kufizimi gjeografik i Podgurit fillon me burimin e lumit “Drini i Bardhë”, ngjitet në majën e Rusolisë, vazhdon me masivin e maleve të Moknës, ndërsa kufiri lindor e juglindor është lumi “Gujavç”. Takimi i lumit “Gujavç”, me lumin “Istogu” dhe me “Drinin e Bardhë” e përmbyll gjeografikisht Trevën e Podgurit Të parët e këtij regjioni e kanë emëruar si “Pod i gurit” shkëmbin i cili i detyron burimet e ujit “Istogun“, “Vrellën” dhe “Drinin e Bardhë” të shpërthejnë në të njëjtën lartësi mbidetare. “Bjeshkët e Istogut” njihen për peizazhe të bukura të cilat njehërit shfrytëzohen për kullosa të bagëtive dhe vend verime të blegtorëve. Peizazhet më të njohura janë: “Gurrat e bardha”, “Livadhet e Istogut”, “Bollovani”,

“Bajshja”, “Radusha”, “Vuqa”, “Rudina”, “Kosharishta”, “Vojdulla”, “Mokna”, “Shymeku”, “Cerrovoda”, “Lugu i Butë”, “Lugu i Zajmit”, “Koreniku”, “Lugu i Madh”, “Kodra e Dynes”, “Gurra”, “Klopqani”.

Ndërsa tutje më në perëndrim gjendet qyteti i Pejës dhe ka një vend tejet të përshtatshëm në Rrafshin e Dukagjinit. Me rrjedhë të shpejtë të grykës shkëmbore të Rugovës, lumi Lumbardhi i Pejës fillon të rrjedhë fushës së Pejës duke kaluar mespërmes qytetit dhe e ndanë atë në dy pjesë. Lumbardhi, i cili gjatë rrjedhes formon fusha pjellore, derdhet në lumin më të madh të quajtur Drini i Bardhë që buron nga bjeshka e Zhlebit në fshatin Radavc. Drini i Bardhë kalon nëpër gjithë anën perëndimore të Rrafshit të Dukagjinit dhe bashkohet me Drinin e Zi që vjen nga Dibra tek Kukësi dhe formon lumin Drini që derdhet në Detin Adriatik.

HISTORIKU

Rrethi i Istogut shtrihet në maje të Dukagjinit verior, buzë Bjeshkëve të Thata dhe Bjeshkëve të Moknës. Në veri kufizohet me Serbinë e në veri-perëndim me Malin e Zi, e në lindje kufizohet me Rrethin e Skënderajt, me Drenicën, në jug me Lugun e Drinit dhe në jug-perëndim me Rrethin e Pejës. Është rajon shumë pjellor, e përshkojnë dy lumenj, lumi më i madh e më i gjatë shqiptar, Drini i Bardhë, që edhe buron në këto anë, dhe Lumi i Istogut.

Ndërsa tutje, qyteti i Pejës është i rrethuar me Bjeshkët e Nemuna, që janë pjesë e masivit Dinarik dhe që përfshinë gjithë Ballkanin perendimor. Këto bjeshkë formojnë një kurorë majesh të larta siç janë: Maja e Kopranikut, malet e Lumbardhit, që përfshijnë Guri i verdhë, Maja Vjedullakut, Hajla, Maja e Hasanit dhe të tjera.

KLIMA

Ndryshimet e fundit klimatike kanë prekur edhe vendin tonë. Tani kemi dimër më të shkurtë dhe verat janë më të nxehta e më të gjata. Gjithsesi, kjo anë karakterizohet me klimë kontinentale të butë kryesisht e cila vjen si pasojë e afërsisë së kurorës malore të Bjeshkës së Moknës nga pjesa veriore, e që ka ndikim të madh në ndryshimin e shpeshtë të temperaturës. Kjo rrethinë nuk dallon shumë nga territoret tjera të pjesës veriore të Rrafshit të Dukagjinit, të cilat janë në një pjesë të madhe nën ndikimin e klimës kontinentale dhe që kanë më pak nxehtësi dhe më tepër të reshura. Gjithësesi, si pasojë e fushave të cilat shtrihen në kuotat më të ulta të lartësisë mbidetare në Kosovë, vetëm afër 350-400 metra, ku mes tyre krijohet rrymimi i ajrit me kreshtat e maleve të larta të Moknës i cili ka kushtëzuar që në Istog të fryejë era më e fortë e veriut në Ballkan. Karakteristikë e kësaj ere të fortë është se frynë vetëm përgjatë rrëzes së bjeshkëve dhe në thellësi të fushës nuk hyn më shumë se dhjetë kilometra. Frynë përgjatë gjithë bjeshkëve, prej Runikut e Radavcit e më e fuqishme është në Istog dhe në fshatrat e tij më të afërta.

Por, temperaturat mesatare në janar janë rreth -0.5°C ndërsa më të lartat në gusht sillen rreth 23-24 °C.

FLORA DHE FAUNA

Në këtë regjion, Bjeshkët e Nemuna dhe Bjeshkët e Moknës, ekzistojnë më shumë se 797 lloje të bimëve të ndryshme siç janë, loje të ndryshme të bimëve mjekuese e që në popullatë njihen me emra popullor: Anguliqja, Thundër Mushka, Murrizi, Gjethe Dielli, Bar Pezmi, Krasta, Rigoni, Menta, Boronica, Gllijat, Hitha, Bar Blete, Ruta, Lincuri, Shushorka, Pelini, Mjedrra, Dredhza, Kamomili, Mëllaga, Rrodhezja, Qakorrja, Kamfuri, Breza, Kinfusha, Sherbeli, Kleka, Grami, Bar Pate, Lule Kaqe, Molla e Egër, Shtogu, Lena, Valerina, Bukë Arushe etj. Kjo hapësirë është e pasur edhe me llojllojshmëri të bimëve mjekuese por, për shkak të mos mirëmbajtjes dhe ruajtjes këto bimë dhe shtazë dita ditës por rrezikohet si pjesë e biodiversitetit.

Ariu, ujku, derri, kaprolli, dhia, lepuri, dhelpra, çakalli, kitara, jazbaci, bukla, pula, qura, fllanxa, shqiponja, qyqja, qukapiku, bilbili janë disa nga kafshët të cilat mund t’i hasim në këtë regjion. Mirëpo, në “Bjeshkët e Istogut” rriten edhe disa lloje të gjarpinjve helmues, si: gjarpri me zile, gjarpri me topa, pastaj jo helmues, si breva dhe bolla.

Përveç tyre, në ujërat e lumit të Istogut rriten disa lloje të peshqve siç janë, bërcaku, ngjala, trofta, trofta e përrojeve, mustaku, krapuliqi, dylmori dhe trofta e Danubit.

NDËRLIDHJA E TRADITËS ME MODERNËN

Banorët vendas janë përkujdesur që në bjeshkët e tyre të origjinës të ngrisin stane. Ato stane, përveç që ju kanë shërbyer atyre për strehim gjatë kohës së mbajtjes së bagëtisë gjatë verës ato së fundi me zhvillimin e turizmit malor u kanë shërbyer edhe si pikë pushuese turistëve vendas e ndërkombëtar. Tashmë, ngritja e vazhdueshme e stanëve të cilat po përdoren edhe si bujtina nuk e ka prishur natyrën, përkundër e ka bërë edhe më të ngrohtë dhe më tërheqëse për alpinist të shumtë e turista të huaj.

Disa nga këto bujtina apo stane vazhdojnë të banohen edhe nga vetë pronaret e tyre përgjatë stinës së verës të cilët vendosin të shkëputet nga rrugët plotë zhurmë e nga ajri i ndotur për tu strukur mes cicërrimës së zogjëve e ajrit të freskët atje në male. Për të kontribuar edhe më shumë në zhvillimin e këtij turizmit, ka ca kohë që Iniciativa për Zhvilimin e Bujqësisë së Kosovës – IADK ka ka mbështetur stanet malore me paisje të energjisë solare. Kalimi i pushimit në një nga këto stane të cilat ndodhen në bjeshkët e Istogut dhe Pejës dhe që janë pjesë e projektit “Trashumanca – ofertë e re tursitike e Kosovës dhe Malit të Zi” përveç se krijon një distancë larg çdo zhurmë e përditshmërisë së zakonshme në zona urbane, ato krijojnë një distancë edhe nga çdo gjë elektrike.

Janë dhjetra bujtina të tilla të cilat dyert e tyre i mbajnë të hapura për të akomoduar ata që dëshirojnë të kalojnë natën në bjeshkët e bukura të Istogut dhe Pejës. Ato bujtina mund të gjenden në Mokna, Jerebi, Bajshe, Cerrovodë, Lugu i Butë, Shoshan, Hakanishë, Bjeshkët e Thata, Sejnovë, Rusoli, Shtedim e të tjera. Kjo mund të përshkruhet sado thjeshtë mirëpo, ndjenja në këto stane është shumë më e veçantë se nga çka mund të thurim për to.

NËN QIELL ME MILIONA YJE

Shumë shpesh, tash me zhvillimin e turizmit malor, natyrë dashësit vendosin që në vend të hoteleve luksoze të zgjedhin të kalojnë natën nën yjet e qiellit, më afër natyrës e cila të ofronë qetësinë e nevojshme për të pushuar.

Alpinistët vendosin t’i marrin me vete paisjet e nevojshme për kamping duke ngritur ato në hapësirat që atyre ju duken më të përshtatshme për ta kaluar natën. Por, tash e një kohë, janë pesë hapësira kampingu nga guri të ngritura nga IADK të cilat u shërbejnë natyrëdashësve si hapësira strategjike për të kaluar natën.

Janë ngritur pika pushimi të cilat mund të akomodojnë rreth 20 persona për të kaluar një pushim të paharrueshëm me çdo gjë bio e tradicionale ashtu siç vetëm banorët e kësaj ane dinë ta sjellin.

Falë përkrahjes së IADK-së shumë familje të cilat kanë qenë egoistë në ruajtjen e vlerave tona, sot po arrijnë të përfitojnë nga ato. Gatimet tradicionale, hapësirat nga druri e akomodimi i rehatshëm për turistë janë vetëm disa nga ato çfarë këto bujtina mund të ofrojnë.

Vlenë të theksohet se këto pushimore druri janë gjithashtu në zona shumë të përshtatshme për të eksploruar edhe bjeshkët afër, si ato të: Moknës, Shtedimit, Podit të Jakupit, Synajë, Shoshanit, Jerebisë.

ÇDO GJË BIO DHE TRADICIONALE NË SOFËR

E veçanta e kësaj zone është mirëpritja, ashtu sikurse vetëm Dukagjinasit dinë ta bëjnë. Nëse dëshironi të ushqeheni me çdo gjë bio e me shumë dashuri e mirëpritje, bjeshkët e Istogut dhe ato të Pejës janë vendi i duhur për t’u vizituar.

Çdo gjë e servuar me aq delikatesë e me aq shumë dashuri për dashamirët që po shkilnin pragun e shtëpisë së tyre s’kishte si të shijonte keq, çdo ushqim shkrinë në gojë e secili nga ne mund ta gjej veten. Ndër produktet të cilat mbizotrojnë në sofrat e asaj ane janë me patjetër produktet e bylmetit, si djathi, qumshti, gjiza për shkak se shumica e asaj ane kujdesen për kafshët nga të cilat mund t’i nxjerrin këto produkte.

Nuk mungojnë as lëngjet vendore si shtogu, kumbulla, boronica, mjedra, perimet e freskëta të verës apo turshitë e ftohta të dimrit, pemët plot shije si dhe fruta të ëmbla i gjen aty. Ushqimet tradicione si flia, lakrori, mish qingji, djathi janë gjithmonë gati.

E për t’u ëmbëlsuar nga, çaji i malit, reçela të ndryshëm nga frutat malore dhe pemët vendore.

Por, ne vendet si ato bujtime, edhe vetëm bukë, kripë e zemër shijon sikurse ushqimi më i mirë në botë.

RRUGËT E STANEVE

Bjeshkët e Istogut gjenden në vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna, në veri-perëndim të Kosovës që do të thotë janë vazhdimësi e këtij masivi. Shtegu ndërkufitar (pjesë e shtegut Via Dinarica), i cili kalon mes Istogut e Pejës, është i gjatë rreth 100km i cili fillon nga Mokna deri në Sejnovë, e pastaj nga Sejnova që kapë Istogun e në Hajlën e Pejës. Përgjatë këtyre kemi shtigje të tjera të cilat njihen si shtigje lokale. Rajonet më të njohura të këtij masivi janë: Mokna, Bjeshka e Thatë, Gurrat e Bardha, Lugu i Butë, Koreniku, Corrovoda, Bajshet, Jerebia, Radusha, etj.

Kjo zonë çdo vit e më shumë ka filluar të vizitohet nga turistë të shumtë për shkak të bukurisë së rrallë malore të saj. Me pamje të ndryshme, si mure shkëmbore, livadhe plotë ngjyrë, pyje të ahut e pisha të larta gjelbëroshe, burime të ftohta të ujit, e pasuron këtë zonë edhe më shumë duke dhënë shpresë për zhvillim të turizmit edhe më të madh.

Bjeshkët e Moknës, apo siç njihet Bukuroshja e Ballkanit prej saj mund të shihen malet e gjithë Kosovës, si Bjeshkët e Shalës së Bajgorës, Maja e Lubotenit, Vargmalet e Sharrit, Pashtriku, Gjeravica, Guri i Kuq, Bjeshkët e Lumbardhit, Maja e Hekurave, Mariashi, Zhlebi e Bjeshkët e Podgurit.

Nëpër këtë shteg kalojnë malet e Lumbardhit, Maja e Hasanit, Hajla e malet e Vjedullakut të cilët i takojnë anës së Pejës. Ky shteg është zgjatim i shtegut shumë të famshëm dhe ndër shtigjet më të bukura në botë, Peaks of the Balkans.

MOKËN - SEJNOVË

Nga Mokna për në Sejnovë janë rreth 40 km përgjatë të cilave gradualisht fiton lartësinë prej 1568 e deri në 2150m/lmd. Ky shteg sado që është i gjatë është edhe aq i bukur. Shtigjet shumë mirë të shënjuara e livadhe plotë ngjyra nga lulet të cilat rriten në atë zonë bëjnë këtë një ecje të paharrueshme. Prandaj, s’do mend pse Mokna thirret edhe si Bukuroshja e Ballkanit.

Ka vlera të shumëta si peizazhi natyror, relievi, përbërja gjeologjike, klimatike dhe karakteristikat hidrografike, flora, mbuloja vegjetative dhe fauna, ku paraqet territor me vlera natyrore dhe estetike. Po ashtu ka rëndësi arsimore, shkencore, turistike, rekreative, prandaj në tërësi i plotëson kushtet për mbrojtje si park i natyrës dhe si i tillë do rritej vlera edhe më shumë.

SHTEGU HAJLE - RUSOLI - ZHLEB - SEJNOVË

Shtegu nga Hajla – Ruseli – Zhleb – Sejnovë në një distancë prej 34 km është një magji në vete dhe me nivel të mesëm të vështirësisë dhe me lartësi prej 1938m/lmd.

Duke filluar nga Hajla, mal i cili gjendet në kufirin midis shtetit të Malit të Zi dhe Kosovës dhe i përket pjesës verilindore të vargmalit Alpet Shqiptare – Bjeshkët e Nemuna.

Me lartësinë 2403 m është mali më i lartë i kësaj pjese. Shumë njerëz e konsiderojnë Hajlën si një nga malet më të bukura, për shkak të kurrizorës së saj.

 

Ndërsa Maja e Rusolisë gjendet në pjesën e Dukagjinit, me një lartësi prej 2381m/lmb. Është territor i veçantë i cili tërheq shumë adhurues të natyrës. Duke filluar nga lugina e saj, e duke vazhduar mes bjeshkëve të Zhlebit dhe përfundon në burimin e Drinit të Bardhë. Përgjatë shtegut i cili është i pasur me florë e faunë që bën një pamje të paharrueshme në mendjen e secilit.

Vazhdon me Majën e Zhlebit, e cila gjendet në kufirin me Malin e Zi si dhe është njëra ndër majat që e përbëjnë masivin e Zhlebit dhe Rusolisë, kjo majë ka lartësi prej 2365m/lmd dhe i takon regjionit të Pejës.

LIVADHET E ISTOGUT

Livadhet e Istogut, ndër bukuritë e rradha të cilat ta japin ndjenjën e qetësisë momentin që nisesh drejtë to bëjnë këtë zonë edhe më të veçantë. Ato gjenden në vargmalin e Bjeshkëve të Nemuna duka na i mundësuar një pamje magjepësese të rrafshit të Dukagjinit.

Shtegu drejt shpellave binjake fillon nga Istogu në drejtim të Grykës së Bollovanit e më pas vazhdojmë nën hije lisash e freski të ujit që rrjedh nga krojet e asaj zone, e duke e ndjekur atë shteg mbërrijmë tek via ferrata Shpellat Binjake në të cilën ata që dëshirojnë ta sfidojnë veten mund të ndalen për një ngjitje dhe lëshim brenda shpellës.

Shpellat Binjake, e kanë marrë emrin nga vendasit si pasojë e dy vrimave/hapjes tektonike shkëmbore. Karakteristikë e tyre është se janë shumë te thella.

Ky atraksion është punuar për të tërhequr qytetarët dhe të interesuarit për këtë lloj sporti dhe karakteristikë e kësaj Via Ferrate është se kjo vijë shkon nga lart e te poshtë, për dallim nga Via Ferratat tjera të cilat fillojnë të kundërtën.

Të jeni pjesë e kësaj avanture pajisjet janë të domosdoshme, si mbajtëset apo sajllet siguruese dhe kapela e veçantë për mbrojtjen e kokës nga gurët që mund të lëvizin.

BAJSHE - CEROVODA - BELEG - HAKANISHTE

Livadhet e Istogut, ndër bukuritë e rradha të cilat ta japin ndjenjën e qetësisë momentin që nisesh drejtë to bëjnë këtë zonë edhe më të veçantë. Ato gjenden në vargmalin e Bjeshkëve të Nemuna duka na i mundësuar një pamje magjepësese të rrafshit të Dukagjinit.

Shtegu drejt shpellave binjake fillon nga Istogu në drejtim të Grykës së Bollovanit e më pas vazhdojmë nën hije lisash e freski të ujit që rrjedh nga krojet e asaj zone, e duke e ndjekur atë shteg mbërrijmë tek via ferrata Shpellat Binjake në të cilën ata që dëshirojnë ta sfidojnë veten mund të ndalen për një ngjitje dhe lëshim brenda shpellës.

Shpellat Binjake, e kanë marrë emrin nga vendasit si pasojë e dy vrimave/hapjes tektonike shkëmbore. Karakteristikë e tyre është se janë shumë te thella.

Ky atraksion është punuar për të tërhequr qytetarët dhe të interesuarit për këtë lloj sporti dhe karakteristikë e kësaj Via Ferrate është se kjo vijë shkon nga lart e te poshtë, për dallim nga Via Ferratat tjera të cilat fillojnë të kundërtën.

Të jeni pjesë e kësaj avanture pajisjet janë të domosdoshme, si mbajtëset apo sajllet siguruese dhe kapela e veçantë për mbrojtjen e kokës nga gurët që mund të lëvizin.

Në këto shtigje të gjithë mund ta gjejnë veten, për shkak te konfirguracionit te bute     malor kjo zonë është  e përshtatshme për aktivitete si ecje malore, Via Ferrata, Eksplorim i Shpellave, Vrapim malor, Çiklizëm, dhe Kalërim.

Është e pamundur që njëra nga këto të mos i pëlqej dikujt, prandaj, kjo zonë nuk mund të refuzohet nga askush.

VIA FERRATA SHPELLAT BINJAKE

Në ditët e ngrohta të verës vetëm pak kilometra larg qytetit mund të freskoheni në një nga shpellat më të famshme të regjionit, e njohur si Shpella Binjake. Në këtë shpellë është mundësuar të bëhet aktiviteti Via Ferrata apo ngjitja në shkëmb e cila jep një adrenalinë dhe ofron një pamje spektakulare. Kjo shpellë ka gjatësi prej 70m dhe është e vendosur në Bajshe, bjeshkë e Istogut e cila u vendos në hartë, kryesisht për shkak të kësaj shpelle.

PARAGLIDING

Sipas Federatës Aeronautike të Kosovës, në vendin tonë janë gjithsej 14 hapësira ku mundësohet aktiviteti i paragllajdingut. Ndër to gjendet në bjeshkën Shymek të Istogut. Ky bjeshkë gjenet në vargmalin e Moknës e si të tillë momentin që ngriteni në qiell mundësohet pamja e cila të lë pa frymë e këtij vargamali nga lart. Andaj, për personat të cilët dëshirojnë të fluturojnë në Shymek ajo dëshirë mund të plotësohet.

SHPELLAT

Më se 24 shpella janë evidentuar përgjatë kësaj kohe në këtë pjesë të Kosovës, mirëpo deri më tani shumë pak prej tyre janë hulumtuar në mënyrë shkencore. Në këtë mes më të njohura janë: “Shpella e Keqe”, “Shpella e Tershanit”, “Shpella Shkëmbi i zhveshur”, “Shpella e Sinesë”, “Shpellat Binake”, “Shpella e Majës së Legjenices”, “Shpella e Golakut”, “Shpella e Hoxhës”, “Shpella e Hutit” etj.

Për tu njoftuar më shumë në lidhje me bjeshkët e Istogut e Pejës, janë shumë pika turistike të cilët mund të ju udhëzojnë drejtë një eksperience të jashtëzakonshme në këtë zonë.

Zyra të Turizmit:
Pejë tel: +383 (0) 39 423 949
Istog tel: +383 (0) 44 224 477

Klube/Shoqëri Bjeshkatare:
Klubi Albin Podguri
tel: +383 (0) 45 457 082
Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste Gjeravica
tel: +383 (0) 49 135 590

Biznese lokale për turizëm:
Marimangat Pejë
tel: +383 (0) 49 661 105